Gjonaj Group Holdings

UET-ALUMNI 2020/ Fationa Gjonaj, sukses në karrierë dhe biznes

Një nënë, një bashkëshorte, një grua e suksesshme! Është fjala për Fationa Gjonaj, një shembull i qartë i femrës në karrierë, që ndan kohën mes familjes dhe drejtimit të biznesit.

Shumë prej nesh e kanë të dëgjuar emrin apo kompaninë që Gjonaj drejton, për faktin se ka si target punësimi kryesisht të rinjtë. Gjonaj është bashkëthemeluese dhe drejtuese e kompanisë ProMarketing Albania & Italia, e cila ka marrë jetë prej vitit 2011. Dikur me një staf të vogël prej 20 vetash, por që brenda një dekade është rritur shumë shpejt dhe tashmë numëron rreth 800 punonjës, 4 filiale në Shqipëri dhe 2 në Itali, duke u kthyer në një nga punëdhënësit më të mëdhenj në vend.

Gjonaj tregon se ideja e ngritjes së këtij biznesi i lindi prej faktit sepse donte të kishte diçka që ta menaxhonte vetë, ku të punësuar të ishin të rinjtë, pasi sipas saj, ata janë burim force dhe energjie.

“Fillimisht nisëm të organizonim disa takime me klientët ekzistues të kompanisë ‘Info-Telekom’, me një model unik në tregun shqiptar për paketën e shërbimeve që ofronte. Më pas kam kryer studimin e tregut, se si po evoluonte zhvillimi i kësaj industrie dhe cila ishte tendenca e kërkesave të të rinjve për këtë profil pune në atë periudhë. E domosdoshme ishte që të rinjtë që do të rekrutoheshin për të punuar, të njihnin gjuhën italiane, pasi edhe nga ne synohej punësimi i këtij target- grupi, duke ofruar besueshmëri dhe fleksibilitet”, thotë Gjonaj.

ProMarketing, pjesë e Gjonaj Group Holdings, operon në fushën e Shërbimit të Klientit, Sondazhe dhe Teleselling dhe bashkëpunon me Operatoret më të mëdhenj Mobile në Itali. Kompania është premiuar edhe nga Ministria e Ekonomisë dhe Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale si një nga kompanitë, e cila ka ndikuar në aspektin social në vend nëpërmjet mundësive të ndryshme te punësimit që ofron. Historia e suksesit të kompanisë është jo vetëm për arsyen e numrit të lartë të të punësuarve, por edhe për implementimin e praktikave më të mira të punës, të cilat kanë ndikuar në edukimin e të rinjve.

Si themeluese e Promarketing kam përzgjedhur, vlerësuar e promovuar gjithmonë stafin. Sot ka ende dhjetëra punonjës që punojnë prej 10+ vitesh me ne. Jam treguar shumë fleksibël në trajtimin e problematikave ndaj stafit, jam përshtatur ndaj çdo situate dhe jam munduar t’u jap zgjidhje në kohë rekord”, thotë sipërmarrësja.

Kjo karrierë 10 vjeçare e Fationa Gjonaj, suksesin e së cilës e dëshmon vetë kompania që drejton, u nderua më 5 qershor nga Universiteti Europian i Tiranës me “Çmimin e karrierës UET Alumni 2020”. Ky çmim iu akordua këtë vit, studentëve të brezit të dytë të diplomuar në UET dhe nga 10 të nominuarit, çmimin e ‘rrëmbeu’ Gjonaj.

Për shkak të angazhimeve profesionale, Gjonaj nuk mundi të jetë e pranishme gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimit, ku UET Alumni mblodhi ish-studentët, mes të cilëve fituesit ndër vite. Por, ajo erdhi në ambientet e UET, në një takim me presidentin e UET, Selami Xhepa dhe presidenten e UET, Adela Danaj, për të tërhequr çmimin.

“Ndihem e privilegjuar për dhënien e  Çmimit të Karrierës profesionale nga UET. Ky vlerësim tregon lidhjen e veçantë mes shkollës, punësimit, praktikës dhe hapjen e rrugës dhe mundësive në jetë nga Universiteti Europian i Tiranës”, shprehet ajo.

Gjonaj ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master Shkencor pranë Universitetit Europian te Tiranës në vitin 2011, në degën Biznes dhe Marketing dhe menjëherë pas diplomimit, ka nisur biznesin e saj. Siç rrëfen edhe vetë, dijet e përfituara, më së shumti në aspektin e praktikës, kanë qenë një ndihmesë e madhe për të themeluar dhe drejtuar kompaninë.

“Në vitin 2011, kur u diplomova tek UET, startoi edhe puna për nisjen e kompanisë ‘Promarketing’. Dijet e fituara në këtë universitet, më së shumti të orientuara drejt çështjeve dhe studimeve praktike, kanë qenë një ndihmëse e madhe për punën time. Duhet theksuar se ajo çka më ka pëlqyer më tepër te ky universitet, ishte bashkëpunimi me pedagogët për të mbështetur dhe ndihmuar në çdo problematikë apo pyetje që hasnin në atë periudhë. Përveç standartit në dije, hapësirat e auditorëve bashkëkohor, gara me më të mirët dhe ndjesia se UET përfaqëson të ardhmen në sistemin arsimor, luajtën rolin e tyre në përzgjedhjen e këtij universiteti për shkollimin e mëtejshëm në arsimin e lartë”, thotë Gjonaj.

Nisur nga eksperienca e saj e studimeve në UET, Gjonaj tregon disa nga arsyet e rëndësishme pse maturantët duhet të zgjedhin UET, mes të cilave përmend edhe faktin se studentët e dalë nga këto auditorë, janë më të kërkuarit në tregun e punës. Gjonaj iu dikton mënyrën sesi duhet të mësojnë dhe ju bën një ftesë për të qëndruar të studiojnë dhe punojnë në Shqipëri.

“UET ka një përvojë 15 vjeçare në arsimin e lartë dhe ka diplomuar afro 15,000 studentë. Sipas të dhënave të universitetit, 90% e studentëve të diplomuar janë të punësuar. Standardi i lartë në dije, por edhe politikat për promovimin e çdo të diplomuari janë arsyet që studentët e diplomuar janë më të kërkuarit në tregun e punës. Një maturanti që do të ndjekë studimet në UET, do t’i sugjeroja që të mësojnë sa më shumë, gjithmonë anën logjike ta përfshijnë me studimet, të përfitojnë sa më shumë nga modeli arsimor që ofron ky universitet, pasi ky është stimuli më i vlefshëm për të qenë i suksesshëm.  Por edhe të mos largohen nga Shqipëria, por të kontribuojnë me dijet dhe eksperiencën për vendin e tyre, për zhvillimin dhe prosperitetin. Mjaft e rëndësishme është që në jetë të tregohen praktikë, socialë dhe gjithmonë të kërkojnë të drejtat e tyre”, tregon ish -studentja e UET.

Dekada e suksesshme e karrierës së Fationa Gjonajt, duket se do të ripërsëriti veten, tashmë e mbushur me risi dhe projekte të reja. Ndër të tjera, Gjonaj parashikon rritje të numrit të punësuarve, pasi edhe kërkesat nga klientët janë në rritje. Nga ana tjetër, ajo i mëshon faktit, se bashkë me rritjen dhe përgjegjësinë, nuk do të mbeten pas aspekti i profesionalizimit, organizimit të punës, bashkëpunimit dhe komunikimit me klientët, elementët që e diferencojnë në treg.

Një aspekt po kaq i rëndësishëm i kësaj kompanie është edhe transmetimi i vlerave humane. “Gjonaj Group Holding” dhe kompania “Promarketing” është e angazhuar në nisma dhe veprimtari me karakter social e humanitar, si dhe ka nxitur vullnetarizmin dhe veprimtaritë humanitare mes punonjësve të saj. Kompania dha një kontribut të çmuar për familjet e dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, e po ashtu nuk ngurroi të sensibilizohet me ndihma për familjet që u gjendën në kushte të vështira jetese, gjatë periudhës së pandemisë. Gjonaj shprehet, se pavarësisht se jo të gjitha nismat humanitare bëhen publike, ato nuk do të rreshtin kurrë së qeni aty.

“Pas tërmetit, iu erdhëm në ndihmë dy familjeve që jetonin në varfëri ekstreme, duke u paguar qiranë për një vit të plotë secilës prej tyre. Si familja Bala, një nënë e vetme me 4 fëmijë të mitur, ashtu edhe familja Saracani, me dy fëmijë, kishin gjithashtu probleme të theksuara sociale. Gjatë pandemisë dhuruam për 1 muaj pako ushqimore për 548 familje në të gjithë Shqipërinë. Të bësh bamirësi do të thotë të ndihmosh të pamundurit ekonomikisht, por jo vetëm. Pikësëpari duhet të kesh një shpirt të madh, të japësh nga vetja atë çka mundesh”, shprehet Gjonaj.

 

Artikullin orgjinal mund ta gjeni këtu.

Leave a Reply

Previous

Fationa Gjonaj, modeli i biznesit të së ardhmes

Next

PROMARKETING participates in the WINDTRE Conference in Rome