Gjonaj Group Holdings

Fationa Gjonaj, modeli i biznesit të së ardhmes

Jo çdo grua është e gatshme të rrezikojë gjithçka për të hyrë në botën e sipërmarrjes. Që biznesi të zhvillohet dhe të eci para, duhet të  investosh jo vetëm paratë, por edhe kohën për fëmijët dhe familjen. Në Shqipëri, që një grua të fillojë një biznes në moshë të re, të arrijë ta konsolidojë brenda një kohe të shkurtër, duke konkurruar me më të mëdhenjtë, duket një mision pothuajse i pamundur.

Në kahun tjetër, modeli ekonomik i vendit nuk ka shënuar shumë ndryshime në dekadat e fundit. Në renditjen e sipërmarrjeve më të mëdha për nga qarkullimi vjetor, bizneset e drejtuara nga gratë dhe ato që kanalizojnë teknologjinë globale te konsumatori nuk janë shumë mbizotëruese.

Por për një grua si Fationa Gjonaj, e cila prej vitesh punon për të bërë të suksesshëm kompaninë me prurje të reja teknologjie dhe oaz profesional për të rinjtë e pasionuar pas teknologjisë së informacionit, sakrificat e mëdha e kanë bërë edhe më të fortë.

Gjonaj ka përfunduar studimet Bachelor dhe Master Shkencor pranë Universitetit Europian të Tiranës në vitin 2011, në degën Biznes dhe Marketing dhe menjëherë pas diplomimit, ka nisur biznesin e saj.

Me kalimin e viteve përparësitë e kësaj kompania dalluan nga të tjerat, për shkak të personalitetit dhe punës së drejtueses, për t’i rezistuar ndryshimeve ekonomike.

Për zonjën Gjonaj ndihma e bashkëshortit në biznes është e çmuar. Bashkëthemeluese dhe drejtuese e kompanisë ProMarketing Albania & Italia, pjesë e Gjonaj Group, e cila ka marrë jetë prej vitit 2011, dikur me një staf të vogël prej 20 vetash, sot numëron rreth 400 punonjës, me 2 filiale në Tiranë dhe 1 në Itali.

“Të nisësh një biznes nga e para që jo vetëm t’i rezistojë kohës, por edhe të jetë çdo vit edhe më i suksesshëm, është shumë e vështirë, si për burrat, ashtu edhe për gratë. Pasi të bësh biznes do të thotë të sakrifikosh, të punosh dhe të mendosh më shumë se të tjerët, orë pa orë, por edhe të privohesh nga koha që ndan me familjen”.

Që në nisje të dëshirës për biznes, Fationa na tregon se gjithnjë ka synuar të kishte diçka që ta menaxhonte vetë, ku të punësuar të ishin të rinjtë.

“Si themeluese e ProMarketing kam përzgjedhur, vlerësuar dhe promovuar gjithmonë profesionalizmin e punonjësve. Sot ka ende dhjetëra punonjës që punojnë prej më shumë se 10 vjetësh me ne. Jam treguar shumë fleksibël në trajtimin e problematikave ndaj stafit, jam përshtatur ndaj çdo situate dhe jam munduar t’u jap zgjidhje në kohë rekord”, pohon ajo.

 

 

Karriera 10 vjeçare e Fationa Gjonaj, suksesin e së cilës e dëshmon vetë kompania që drejton, u nderua më 5 qershor 2020 nga Universiteti Europian i Tiranës me “Çmimin e karrierës UET Alumni 2020”. Ky çmim iu akordua atë vit, studentëve të brezit të dytë të diplomuar në UET dhe nga 10 të nominuarit, çmimin e ‘rrëmbeu’ Gjonaj.

Në vitin 2021 në ProMarketing janë shtuar shërbimet e inbound për kompanitë “Vodafone Italy dhe “Wind3 Italy”. Sipas studimeve, tregu italian po zhvendoset gjithmonë e më shumë drejt shërbimeve inbound, customer care, backoffice.

Në vitin 2021, ProMarketing reduktoi volumet outbound, duke rritur volumet në inbound dhe arriti të ruajë faturimin në nivel vjetor, duke kapur një objektiv të ri, ku për herë të parë shumica e faturimit vinte nga shërbimet inbound për Promarketing.

Prej vitit 2022 kompania ka nisur edhe një fushatë të re për turizmin dentar e orientuar drejt tregut italian dhe atij anglez.

 

 

Përveç suksesit të bashkëpunimeve që ka realizuar, ProMarketing, është një kompani që dallohet për rekrutimin dhe zhvillimin profesional të të rinjve.

Gjatë bisedës me Fationën, ajo që vihet re është dëshira për të krijuar gjithnjë hapësira ku të rinjtë të gjejnë veten, të zbulojnë potencialin e tyre dhe të kenë motivim për të arritur objektivat e vendosura.

“Rritja e ekuilibrit mes punës dhe jetës, të qenit transparent, ofrimi i përfitimeve të mira dhe thënia më shpesh: “Faleminderit”, të gjitha, ndihmojnë në rritjen e moralit të punonjësve.”

Në këtë periudhë kur numri i të rinjve profesionistë që kërkojnë të largohen nga Shqipëria është i lartë, gjatë bisedës me Fationa Gjonaj zbuluam se që nga ofrimi i ambienteve moderne të vendit të punës, komunikimit të lirshëm me stafin, oportunitet për promovimin profesional në tregun e globalizuar, trajnimet dhe transparenca ndaj sugjerimeve të të punësuarve, janë pikat kyçe në marrëdhëniet e drejtuesve të ProMarketing dhe punonjësve.

1.Krijimi i ambienteve për të komunikuar lirshëm: “Në mjediset e ProMarketing kemi krijuar hapësira ku punonjësit mund të komunikojnë lehtësisht dhe të ndajnë idetë. Mbi të gjitha ambienti është tërheqës, komod dhe me mobilie të këndshme. Ne duam që punonjësit të mos ndihen ‘si në punë’, por në një vend ku janë vetvetja.”

2.Promovimi i një mjedisi pozitiv dhe më shumë argëtim: “Punonjësit e lumtur krijojnë një kompani të lumtur. Ne i ndihmojmë punonjësit të rriten dhe të zhvillohen, qoftë duke marrë përsipër përgjegjësi ose sfida të reja të dëshiruara nga ata. Stafi i ProMarketing është gjithnjë i organizuar për evente, dreka dhe darka pune, udhëtime, për t’u relaksuar, për të festuar një arritje, për të rritur frymën në grup, si dhe për të qenë akoma më shumë të motivuar në vendosjen e objektivave të reja.”

3.Vlerësim performance dhe promovimi i stafit: “Është një tendencë e zakonshme njerëzore për të kërkuar miratimin dhe vlerësimin për punën e palodhur dhe përpjekjet. Në ProMarketing vlerësimet e performancës janë një element i domosdoshëm, i cili nuk mungon asnjëherë. Punonjësit që përmbushin dhe tejkalojnë objektivat shpërblehen në përputhje me rrethanat”.

4.Trajnime dhe specializime:“Edhe pse rekrutimi në ProMarketing ka një filtër të mirë, ne kujdesi gjithnjë të jemi aktiv në pjesën e trajnimeve dhe specializimeve të stafit brenda dhe jashtë vendit. Kjo ndërton një marrëdhënie reciproke midis punonjësit dhe kompanisë, duke rritur suksesin në të dyja krahët.”

5.Transparencë: “Çdo kompani ka uljet dhe ngritjet e saj, drejtuesit në ProMarketing janë transparentë në ndarjen e lajmeve të mira të kompanisë, si dhe në problemet me të cilat përballen.

Janë të hapur ndaj sugjerimeve dhe zgjidhjeve për çështjet me të cilat përballet kompania dhe kërkojnë vazhdimisht sugjerime nga punonjësit.

“Ne kemi një politikë të dyerve të hapura. Dëgjojmë dhe marrim parasysh çdo mendim të punonjësve tanë”, thekson ndër të tjera zonja Gjonaj.

Nga ky model ne kemi një dritë jeshile për të rinjtë shqiptarë që synojnë standarde perëndimore në një vend pune, një shembull i mirë për të gjitha kompanitë e tjera shqiptare që janë në zhvillim e sipër.

Grupi Gjonaj, përveç telekomunikacioneve së fundmi është zgjeruar edhe në tregun e pasurive të paluajtshme. Prej vitit 2020, Fatjona Gjonaj menaxhon një strukturë hotelerie me 20 dhoma dhe 6 apartamente, që përafrohen me Airbnb, një shërbim që po preferohet shumë në botën e turizmit. Kemi të bëjmë me një sektor të ri në Shqipëri dhe si i tillë ka nevojë të zhvillohet ende. Për këtë industri me tendencë rritëse të kërkesës nga të huajt, zonja Gjonaj ofron eksperiencën dhe modelin e sipërmarrëses së suksesshme.

Prezente mbi 1 dekadë në treg, tashmë  kompania ProMarketing është një realitet i suksesshëm në tregun shqiptar, por Fationa Gjonaj nuk e ka mbyllur ende misionin e saj. Ajo do të vijojë të jetë një emër si mbështetëse e iniciativave për modernizimin e bizneseve dhe ekonomisë shqiptare.

 

Artikullin origjinal nga CLASS mund ta gjeni këtu.

Leave a Reply

You are here

Fationa Gjonaj, modeli i biznesit të së ardhmes

Next

UET-ALUMNI 2020/ Fationa Gjonaj, sukses në karrierë dhe biznes